Klubi i Sporteve të Ujit OTRILA mori pjesë në 39th Prince Islands Swimming Championship, një nga garat tradicionale ndërkombëtare të notit, e zhvilluar më 23–24 korrik në ishullin Kınalıada, Stamboll, Turqi.
Në këtë aktivitet morën pjesë mbi 600 sportistë nga klube të ndryshme të rajonit dhe më gjerë, duke krijuar një konkurrencë të fortë në të gjitha disiplinat.
Para garës, sportistët e OTRILA-s zhvilluan përgatitje intensive me synim përfaqësimin sa më dinjitoz të klubit dhe Kosovës në këtë aktivitet ndërkombëtar.
Gjatë dy ditëve të garave, sportistët tanë zhvilluan paraqitje të mira, duke garuar me përkushtim, disiplinë dhe frymë sportive. Pjesëmarrja rezultoi e suksesshme, pasi shumica e sportistëve të OTRILA-s arritën të përmirësojnë rekordet e tyre personale dhe kohët më të mira, duke dëshmuar progresin e vazhdueshëm dhe punën sistematike në stërvitje.
Përmirësimi i rezultateve personale në një konkurrencë të tillë ndërkombëtare përbën një tregues të rëndësishëm të zhvillimit të sportistëve tanë dhe një motivim për të vazhduar punën drejt objektivave të ardhshme.
K.S.U. OTRILA falënderon organizatorët për mikpritjen dhe organizimin profesional të garës, si dhe prindërit dhe të gjithë mbështetësit për përkrahjen e vazhdueshme ndaj sportistëve tanë.
Urime të gjithë notarëve të OTRILA-s për angazhimin, disiplinën dhe përfaqësimin e denjë të klubit në këtë garë ndërkombëtare. Vazhdojmë punën me të njëjtin përkushtim drejt sfidave dhe sukseseve të radhës.
