OTRILA vazhdon të shkruajë histori suksesi – organizon me sukses BalkanSplash Bootcamp 2026

Më 20–21 qershor 2026, K.S.U. OTRILA organizoi me sukses BalkanSplash Bootcamp 2026, duke mirëpritur trajnerë, sportistë dhe trajnerë të ardhshëm nga Kosova dhe Shqipëria në një aktivitet të dedikuar zhvillimit të Finswimming dhe Waterpolo.

Gjatë dy ditëve intensive të programit, 23 pjesëmarrës patën mundësinë të përfitojnë nga përvoja dhe ekspertiza e trajnerëve ndërkombëtarë të Türkiye Water Polo Federation (TWPF) dhe Komet Croatia, përmes sesioneve praktike, punëtorive edukative dhe shkëmbimit të përvojave profesionale.

Bootcamp-i u fokusua në ngritjen e kapaciteteve të trajnerëve dhe sportistëve, prezantimin e metodologjive moderne të stërvitjes, njohjen me rregullat e garimit dhe krijimin e mekanizmave të qëndrueshëm për zhvillimin afatgjatë të sporteve ujore në rajon.

Njëkohësisht, aktiviteti krijoi baza të rëndësishme për bashkëpunim të vazhdueshëm përmes rrjeteve të mentorimit dhe burimeve edukative online, duke synuar forcimin e lidhjeve ndërmjet profesionistëve dhe komuniteteve të sporteve ujore në rajon.

Interesimi i madh dhe vlerësimet pozitive nga pjesëmarrësit dëshmuan rëndësinë e iniciativave të tilla, të cilat kontribuojnë në diversifikimin, zhvillimin dhe avancimin e sporteve ujore në Ballkanin Perëndimor.

Si organizatore e këtij aktiviteti, K.S.U. OTRILA mbetet e përkushtuar në krijimin e mundësive të reja për edukim, zhvillim profesional dhe bashkëpunim ndërkombëtar, duke ndërtuar ura të reja për sportistët, trajnerët dhe komunitetin e sporteve ujore.

Klubi shpreh mirënjohjen për partnerët dhe ekspertët nga Türkiye Water Polo Federation (TWPF) dhe Komet Croatia, të cilët kontribuuan në realizimin e një programi me standarde të larta profesionale dhe me synim ndikimin afatgjatë në zhvillimin e sporteve ujore.

BalkanSplash bashkëfinancohet nga Programi Erasmus+ Sport dhe synon të promovojë bashkëpunimin rajonal, shkëmbimin e njohurive dhe zhvillimin e sporteve ujore për gjeneratat e ardhshme.

Shpërndaj në: